Kthehu në katalog
Kameliet dimërore — kapaku

Kameliet dimërore

nga Ermal Meta

ALL 1200

Për librin

Shqipëri, viti 2025. Lara, një studente gazetarie, italiane, por me prindër shqiptarë, mbërrin në Shqipëri për të intervistuar një burrë që jeton i mbyllur në shtëpinë e tij prej tridhjetë vitesh. Nuk di çfarë e pret dhe nuk e di se ky takim do t’ia ndryshojë jetën. Shqipëri, viti 1995. Në kaosin që përfshin vendin pas rënies së regjimit komunist, fatet e dy familjeve ndërthuren. Halili dhe gruaja e tij, Rozafa, jetojnë me dhimbjen e pandashme për zhdukjen e vajzës së tyre, Nina, e cila ka humbur pa lënë gjurmë, dhe i vetmi ngushëllim për ta është djali i madh, Uksani. Nga ana tjetër është Zeka, një burrë i dhunshëm që keqtrajton gruan e tij, Odetën, e cila shpesh gjen mbrojtje te djali i tyre, Samiri. Uksani dhe Samiri janë bashkëmoshatarë, miq të ngushtë, me jetën përpara, edhe pse gjallojnë në një tokë pa të ardhme. Një keqkuptim, një sherr i zakonshëm, dhe Halili, babai i Uksanit, rreh për vdekje Zekën, babanë e Samirit. Kanuni, një ligj i lashtë shqiptar, kërkon shlyerjen e krimit. Samiri detyrohet nga familja të ruajë nderin, të hakmerret për gjakun e derdhur, të vrasë mikun e tij të ngushtë, Uksanin. A do të jetë miqësia mes dy djemve dhe dëshira e tyre për liri më e fortë se hakmarrja? Po Lara, shumë vite më vonë, në të vërtetë kë po shkon të takojë? “Kameliet dimërore” është historia e një konflikti të thellë mes dy familjesh, të lidhura me sekrete të pathëna dhe një traditë të errët e të lashtë. Ky libër është rikthimi i fuqishëm i një rrëfimtari që mahniti botën me romanin e tij të parë, “Nesër e përgjithmonë”, gjithashtu në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “Dudaj”. Ermal Meta është këngëtar, autor, poli-instrumentist dhe producent muzikor shqiptar, i natyralizuar italian. Në vitin 2016, ai publikoi albumin e tij të parë solo . Pas tij erdhën edhe shumë të tjerë, turnetë e të cilëve kanë udhëtuar kudo në Itali dhe Europë. Gjatë viteve të fundit ai ka fituar çmime dhe vlerësimet më prestigjioze në fushën e muzikës. Debutimi i tij letrar, “Nesër e përgjithmonë” (La nave di Teseo, 2022), është nominuar për çmimin “Strega” dhe është përkthyer në Francë, Gjermani, Spanjë, Kinë dhe Shqipëri.

Porosit në WhatsApp